Real Madridi e ka mposhtur 3-1 Eibarin në kuadër të javës së 28-të në La Liga.
Pas vetëm katër minutash lojë në stadiumin “Alfredo di Stefano”, Los Blancos kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Toni Kroos.
Madrilenët vazhduan me presion të lartë ndaj mysafirëve, derisa realizuan edhe golin e dytë me anë të Sergio Ramos (30’), që u asistua nga Eden Hazard.
Shtatë minuta më vonë, Marcelo (37’) e trefishoi epërsinë e Real Madridit, për të shkuar kështu të qetë në pushimin e pjesës së parë.
Në 45 minutëshin e dytë, vendasit kishin një tempo më të ulët të lojës, gjë që Eibari e shfrytëzoi.
Mysafirët arritën të ngushtonin epërsinë e vendasve në 3-1 me golin e shënuar nga Pedro Bigas në minutën e 60-të, duke u asistuar nga Pablo De Blasis.
Skuadra e udhëhequr nga Zinedine Zidane kishte disa shanse të mira për gol, mirëpo nuk arritën t’i konkretizonin ato.
Në fund, mbretërit morën tri pikë mjaftë të rëndësishme, për t’i qëndruar më afër Barcelonës në garë për titullin e ligës spanjolle.
Pas javës së 28-të, Real Madridi pozicionohet në vendin e dytë me 59 pikë, dy më pak se katalunasit që janë lider.
Në xhiron e 29-të, Los Blancos takohen me Valencian, një ndeshje mjaftë e vështirë në letër. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=17NVBzJTErg&ab_channel=Live%3A%3Aendirect