Gjiganti spanjoll Real Madrid raportohet se ka dërguar skautët për ta përcjellë një lojtar nga Liga Premier.
Këtë sezon, ‘Los Blancos’ po lufton për trofeun e 16-të të Ligës së Kampionëve dhe janë të përfshirë në një luftë me Barcelonën dhe Atletico Madridin për titullin e La Ligas.
Gjatë viteve, Madridi ka nënshkruar me disa prej lojtarëve më të mirë anglezë, duke përfshirë Michael Owen, Steve McManaman dhe së fundmi, Jude Bellingham.
Para hapjes së afatit kalimtar veror, ata janë lidhur me një transferim të mundshëm të Trent Alexander-Anrold, por duket se ata kanë vënë syrin edhe tek një lojtar tjetër i ‘Tre Luanëve’.
Siç ka raportuar Daily Mail, kampioni në fuqi i Evropës po monitoron mesfushorin e Crystal Palace, Adam Wharton, i cili u rikthye në aksion së fundmi pas një operacioni në hernie.
21-vjeçari ishte i përfshirë edhe në ekipin e Anglisë në ‘Euro 2024’ dhe pritet që të ftohet nga përzgjedhësi Thomas Tuchel edhe për ndeshjet e marsit.
Raportimi shton se shefi i skautëve të Real Madridit, Juni Calafat është një admirues i Wharton dhe stafi i klubit ka dërguar disa persona për të përcjellë progresin e mesfushorit.
Sidoqoftë, në garë për nënshkrimin e tij nuk janë vetëm ata, pasi është raportuar se edhe klube si Manchester City, Liverpool dhe Manchester United kanë shprehur interesim për të riun anglez.
Wharton ka bërë në total 16 paraqitje në të gjitha garat për Palace deri më tani këtë sezon duke arritur të bëjë një asistim./Telegrafi/