Real Madrid përmes televizionit të tyre ‘Real Madrid TV’ kanë publikuar video me disa nga rastet që sipas tyre ishin gabime të gjyqtarit Alberoja Rojas dhe VAR-it, në humbjen 3-1 në derbin ndaj Atletico Madrid.
Fillimisht, madrilenët piketojnë aksionin ku u shënua goli i parë nga Atletico Madrid duke pretenduar se paraprakisht në atë aksion, gjyqtari duhej të akordonte një gjuajtje të lirë pas një ndërhyrje të shkaktuar në Jude Bellingham.
Rasti tjetër i shkëputur në videon e publikuar nga Real Madrid, është ndërhyrja e Jose Maria Gimenez tek Rodrygo, që sipas tyre duhej të ndëshkohej me karton të kuq, dhe goli i anuluar i Camavingas par pozitë jashtë loje.
Pas humbjes së parë të Real Madridit në këtë edicion të garave, që i dha fund serisë pozitive prej gjashtë ndeshjesh rresht me fitore, asnjë futbollist i tyre nuk dha deklaratë për media pas ndeshjes.
Kjo nuk ishte hera e parë që Los Blancos shfrytëzojnë këtë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth ndarjes së drejtësisë, pasi që edhe më herët ata kanë shfrytëzuar këtë formë të komunikimit indirekt me La Ligan, për të bërë thirrje që niveli i referimit të përmirësohet.
Madrilenët do të rikthehen në aksion përsëri në mesjavë, ku ata do të jenë nikoqir i ekipit të sapo promovuar në ligë, Las Palmas, të mërkurën më 30 shtator, ndeshje kjo që është paraparë të luhet me fillim nga ora 19:00./Telegrafi/