Telegrafi

Reagon Tinka Kurti: Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund ta fitoj mandatin e deputetes me vota, e të mos e marr postin vetëm pse jam grua

Kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti ka reaguar sot pas certifikimit të deputetëve të rinj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e që zëvendësojnë ata që u tërhoqën për mandatet ekzekutive.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se nuk do të kishte besuar ndonjëherë që mund ta fitonte mandatin e deputetes me vota, e të mos e marrte postin vetëm pse është grua.

Lexo po ashtu KQZ mban mbledhjen, këta janë deputetët e rinj që zëvendësojnë ministrat

Lexoni të plotë postimin e saj në Facebook:

“Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund ta fitoj mandatin me vota e të mos e marr postin vetëm sepse jam grua. Nuk do ta kisha besuar për cilëndo punë e ironikisht po ndodhë në Kuvend të Republikës. Sot KQZ ka certifikuar deputetët e rinj që zëvendësojnë ata që u tërhoqën për mandatet në ekzekutiv. Pavarësisht se jam me vota para dy burrave të tjerë kandidatë, sipas KQZ ata bëhen pjesë e Kuvendit e unë jo. Kjo për shkak të njëfarë neni absurd brenda Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë. Të gjithë e dimë që ligji, përfshirë ky nen është shkruar për ta rritur prezencën e deputeteve në parlament. Dhe çka ndodhë tash? Pikërisht e ndëshkon. Saktësisht e pamundëson rritjen e 30 %. Përderisa ligji flet për minimumin e 30% të deputeteve në parlament dhe jo ruajtjen e kësaj shifre, në fakt kjo po bëhet barrierë që në Kuvend të ketë më shumë se 30% gra.

Kjo sigurisht është në kundërshtim me frymën kushtetuese e parimet ndërkombëtare dhe ligje të tjera tonat që janë shkruar e miratuar për përparimin e të drejtave të grave, por është edhe në kundërshtim me vetë konceptin e barazisë si synim e rrugëtim.

Ky nuk është vetëm problem ligjor por thellë politik. Nëse e lejojmë këtë të ndodhë është që ta shohim diskriminimin e kulluar edhe në institucionet më të larta. Andaj nuk është e pranueshme dhe do të kërkoj drejtësi.

P.S. Kjo, natyrisht nuk ka të bëjë me kandidatët e tjerë (burra) të Lëvizjes që janë në radhë pas meje me vota. Përkundrazi, për ta, sikurse për çdo kandidat të LV kam veçse respekt maksimal e kolegialitet korrekt. Kjo ka të bëjë ekskluzivisht me nenin diskriminues i cili mëton të promovojë praktika nxitëse e përfundon duke përjashtuar”. /Telegrafi/