Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi në seancën e sotme të Kuvendit deputetët e pozitës votuan në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Në reagimin e tij, Tahiri ka thënë se me këtë ligj kryeministri Albin Kurti e ka rritur pagën e vet, por e ka ulur atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Mazhoranca e udhëhequr nga VV-ja e miratoi Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kryeministri Kurti me këtë ligj, ia ka rritur pagën vetvetes, ndërsa ua ka ulur pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Tash luftimi i krimit e korrupsionit, me gjasë do kalojë në tjetër nivel. Urime”, ka shkruar deputeti i PDK-së në Facebook.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Në mesin e deputetëve të LVV-së, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka abstenuar për këtë Projektligj. /Telegrafi/