Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas lirimit të tre policëve që ishin arrestuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
Sveçla ka thënë se ndonëse janë liruar, ndaj policëve është konfirmuar aktakuza dhe se kjo është vazhdimi i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka pohuar ai.
Ministri ka thënë se policët duhet liruar pa kushte.
“Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.
Tre policët ishin arrestuar më 14 qershor, ndërsa sot Gjykata në Kralevë mori vendim për lirimin e tyre. Ata pritet të kthehen sot në Kosovë.
Për lirimin e tyre ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka kërkuar që Serbia të mbajë përgjegjësi për kidnapimin e tyre. /Telegrafi/