Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë reaguar për zgjedhjet e mbajtura këtë të diele në katër komunat veriore të Kosovës.
SHBA theksojnë se zgjedhjet që u mbajtën në komunat e Kosovës: Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok më 23 prill të vitit 2023, ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në një komunikatë për media, Ambasada amerikanë në Prishtinë ka thënë se përkrahin një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe iu vjen keq që jo të gjitha partitë nuk e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.
“Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në komunikatë.
Nga kjo ambasadë është shprehur mirënjohje për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet thuhet tutje në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës me gjithë bojkotimin e tyre të paralajmëruar nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik që mbështetet nga Beogradi.
Ata u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që u arrit në Ohër me 18 mars./Telegrafi/