Pas rënies së qeverisë në Podgoricë ka ardhur edhe reagimi nga SHBA dhe BE.
SHBA presin që liderët e zgjedhur në Mal të Zi, përmes dialogut dhe në përputhje me proceset demokratike, të punojnë së bashku në formulimin konstruktiv të rrugës për qytetarët e Malit të Zi.
SHBA do të bashkëpunojnë me secilën qeveri demokratike, që siguron avancimin e Malit të Zi në rrugën euroatlantike, përfshirë anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, forcimin e anëtarësisë në NATO dhe përkrahjen e vlerave të përbashkëta.
Rëniet e qeverive, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Ambasada e SHBA-ve në Podgoricë janë “pasqyrim i demokracive parlamentare, ndërsa e drejta për protesta të qeta është e drejtë themelore demokratike”.
SHBA janë të gatshme të bashkëpunojnë me shumicën në pushtet, e cila Malin e Zi do ta çojë drejtë integrimeve evropiane.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë në Mal të Zi. BE ka ftuar të gjitha partitë politike në vend që të punojnë bashkërisht në avancimin e reformave që lidhen me BE-në, në frymë konstruktive dhe në interes të qytetarëve të Malit të Zi.
“Formimi i qeverisë është përgjegjësi e aktorëve politik, ndaj besojmë që kjo të ndodhë dhe nuk do të ketë shtyrje”.
Zëdhënesja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero thotë, se BE-ja pret që qeveria të merret me çështjet jetike të qytetarëve dhe të avancojë në drejtim të procesit të integrimit”.
Në Mal të Zi formimi i qeverisë vazhdon të jetë temë e ditës. Përfaqësues të shumicës qeveritare kanë përsëritur qëndrimet që zgjidhja duhet gjetur në radhët e tyre e kurrsesi të përfshihet në të Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit.
Mirëpo, siç shihet në një mjedis të tillë siç është Mali i Zi, ku ndasitë janë gjithnjë e më të mëdha, bisedimet nuk do të jenë të lehta, mbase për këtë nga të gjitha palët nuk përjashtohet as shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Të hënën (7.02) Parlamenti i Malit të Zi do të mblidhet në një tjetër seancë të jashtëzakonshme ku do të debatohet për shkarkimin e kryeparlamentarit Aleksa Beçiq.
Deri tani Partia Socialiste Popullore dhe Fronti Demokratik pro serb kanë thënë, se nuk do të votojnë për shkarkimin e tij, ndërkohë që URA e drejtuar nga Dritan Adbazoviq do të ketë konsultime brenda radhëve të koalicionit dhe prej tij do të varet se si ato do të votojnë.
Iniciativën për shkarkimin e kryetarit të parlamentit Beçiq e kanë nënshkruar 38 deputetë të partive opozitare DPS, socialdemokratët, Partia Social-demokratike, ajo Liberale, Partia Boshnjake dhe Koalicioni Shqiptar. Për shkarkimin e kryetarit të parlamentit nevojiten 41 vota. /dw/