Site icon Telegrafi

Reagon sërish SHBA: Kërkuam shtyrje të plotë të afatit për targa, jo implementim në faza

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, në një konferencë pë media ka thënë se SHBA-ja është e zhgënjyer që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për targat.

Price ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar shtyrje të plotë të vendimit për targat, e jo pjessshëm, apo në faza.

“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit”.

“Pra, ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Price.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, të hënën ka thënë për Telegrafin se “me vendimin për sekuecimin në kohë dhe shkallëzimin e sanksioneve për zbatimin e vendimit pararendës për targat ilegale, Qeveria ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme në raport me obligime për respektim të sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë në raport me përkushtimin për paqe dhe siguri”.

Kryeziu theksoi se për vendimin e targave, partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar paraprakisht.

“Me partnerët tanë i kemi diskutuar brengat që kanë qenë të përbashkëta, dhe duke marrë ato në konsideratë kemi ardhur deri te zgjidhja që vendosë krah për krah sundimin e rendit dhe ligjit dhe paqen dhe sigurinë. Për qasjen, zgjidhjen dhe vendimin tonë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar paraprakisht”, u shpreh Kryeziu.

Sipas Qeverisë, vendimi nis së zbatuari më 1 nëntor në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; E dyta është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e  treta janë targat provuese.

Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës. /Telegrafi/


Exit mobile version