Telegrafi

Reagon Qeveria e Serbisë, pas aksionit policor në veri të Kosovës

Pas aksionit të njësive speciale të policisë së Kosovës Rosu në veri të Mitrovicës, për të kapur personat që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka komentuar veprimin e Prishtinës zyrtare.

Gjatë një interviste dhënë televizionit serb Pink, Gjuriq, ka thënë se gjitha filloi rreth orës 5:45 kur policët e Kosovës të armatosur “deri në dhëmbë” dhe me helmeta u nisën për në veri, transmeton Telegrafi.

“Ata ishin me 25 vetura të blinduara edhe pse në hyrje të qyteti janë parë të rreshtuara afro 40 të tilla. Por, ata u larguan rreth orës 6 të mëngjesit”, ka deklaruar Gjuriq.

Sipas tij “shënjestra kryesore” ishte komandanti i policisë në veri, Zeljko Bojiq, pasi njësitet e Rosu u futën në banesën e tij dhe arrestuan të birin Vasilin.

“Njësitet e Rosu janë futur në banesën e tij duke ia arrestuar të birin Vasili Bojiq të cilin e dërguan në drejtim të panjohur. Gjithashtu është arrestuar një pjesëtar tjetër i policisë Rade Bashar, që ka punuar në raste shumë të rëndësishme”, ka shtuar Gjuriq. /Telegrafi/