Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik, e cila pronë dyshohet se u fitua përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, bazuar në një zarf të ardhur përmes Postes “DHL Serbia”.
Sipas një reagimi thuhet se Prokuroria Speciale shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale, përmes një reagimi për media ka demantuar deklarimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bërë sot, duke u shprehur se “është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik”.
Në reagim bëhet e ditur se Prokuroria Speciale informon opinionin publik se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, prandaj deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz.
“Prokuroria Speciale, deklarimet e tilla të pavërteta, fatkeqësisht nga ministrja e drejtësisë, i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të Prokurorisë Speciale dhe punës se suksesshme të udhëheqësit të saj, duke vlerësuar se këto deklarime të pasakta, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të kësaj prokurorie”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet: “Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga ministrja Haxhiu, Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllim këqija”.
“Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtroj mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata”, bëhet e ditur në reagimin e Prokurorisë Speciale. /Telegrafi/