Shefi i zyrës së presidentes së Kosovës, Blerim Vela ka reaguar ndaj protestës së sotme të serbëve në afërsi të kufirit të Jarinës.
Vela ka thënë se protestuesit kaluan nga “pa dorëzim” në “të tërhiqemi”, sipas tij kjo tregon sa e organizuar ishte protesta e regjimit të Serbisë.
Sipas tij, integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.
“Protestuesit kaluan nga “nema predaje” (pa dorëzim) në “hajmo nazad” (të tërhiqemi)… Kjo tregon se sa e organizuar ishte kjo “protestë” e regjimit të Serbisë. Kosova nuk do të bjerë pas kësaj teatrale të krahut të djathtë të sponsorizuar nga Beogradi dhe Moska. Integriteti ynë territorial është i pacenueshëm”, ka shkruar Vela.
Ndryshe, disa protestues janë mbledhur të dielën afër pikë kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, – në anën e territorit serb – si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.
Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.
Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë./Telegrafi/
Protesters moved from “nema predaje” (no surrender) to “hajmo nazad” (let’s retreat)… This shows how staged was this “protest” by #Serbia’s regime.#Kosovo will not fall for this right wing theatrics sponsored by Belgrade and Moscow. Our territorial integrity is inviolable. pic.twitter.com/RQE7bTbXZN
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) December 18, 2022