Site icon Telegrafi

Reagon Policia: Baki Kelani nuk udhëheq asnjë biznes e as nuk morri ndonjë tender

Dhënia e tenderit për furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma elegante kompanisë “Bossier” pronar i së cilës është Sami Kelani, vëllai i zëdhënësit Baki Kelani, sipas PK-së nuk përmban asnjë shkelje të procedurave të tenderimit e as konflikt interesi.

 

Policia e Kosovës ka sqaruar se zëdhënësi i saj Baki Kelani nuk është pronar i kompanisë e cila fitoi tenderin dhe as nuk ka asnjë inkuadrim të tij në tenderin në fjalë.

 

“Është me rendësi të sqarohet dhe të informohet drejt opinioni i gjerë se zëdhënësi i PK-së z. Kelani nuk posedon asnjë biznes të vetin, ashtu siç potencohet në portale dhe se nuk ka të bëjë fare me tenderin në fjalë”, thuhet në reagimin e PK-së, citon Express.

 

Tutje, PK ka sqaruar se Kelanin “nuk e ndërlidh fare interesi me lokalin, Bosser, i cili në bazë të dokumentacioneve ekziston si biznes që nga viti 2002, para se zëdhënësi Kelani të jetë në detyrë policore”, e jo siç është përmendur në disa media, nga viti 2013.

 

“E tërë procedura për këtë aktivitet të prokurimit është zhvilluar konform Ligjit të Prokurimit Publik Ligji Nr. 04/L-042’ si dhe Legjislacionit sekondar të nxjerrë nga KRPP (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik) dhe ligjeve tjera në fuqi dhe asnjë zyrtar brenda Policisë së Kosovës nuk mund të ushtroj ndikim gjate zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit”, thuhet tutje në reagim.

 

Mediat kanë raportuar të hënën se tenderin për furnizim me rroba civile, Policia e Kosovës, i ka dhënë kompaninë ‘Bosser’, të cilën e udhëheq Sami Kelani, vëllai i zëdhënësit të policisë, Baki Kelani.

 

Sipas këtyre mediave, tenderi në fjalë kapte vlerën e 1500 Eurove dhe për në këtë tender kishin konkurruar tre operatorë ekonomik, derisa çmimi më i lartë raportohej të ketë qenë 2100 euro.

 

Në raportimet e këtyre mediave, për dallim nga pretendimet në sqarimin e Policisë, kompania ‘Bosser’ është hapur në vitin 2013, e cila aktivitet primar e ka tregtinë me pakicë të tekstileve në dyqane të specializuara.

 

Ky është reagimi i plotë i Policisë:

 

Duke iu referuar shkrimit në portale publikuar më 27.10. 2015, ku në titull shkruhet: “Skandal: Policia blenë gardërobë nga biznesi i Baki Kelanit (Dokument)”, Policia e Kosovës për hirë të informimit të drejtë sqaron për opinionin publik se:

 

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Prokurimit e PK-së ka pranuar kërkesë për zhvillimin e procedurave të Prokurimit për projektin Furnizim me rroba elegante për stafin e lartë konform vendimit me numër 102/DP/2009 të datës 11.02.2009.

 

Duke u bazuar në vlerën e projektit, Drejtoria e Prokurimit e PK-së konform: pika 1 të nenit 36 të Ligjit të Prokurimit Publik Ligji Nr. 04/L-042 ka përdorur procedurat e kuotimit të çmimeve për qellim dhënien e një kontrate për furnizim me vlere te vogël.

 

Konform pikës 2 të nenit 36 të Ligjit Nr. 04/L-042 dhe konform pikës 47. 4 të nenit 47 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik të nxjerr nga KRPP me 2012, me datë 22.09.2015 është krijuar dosja për procedurën e kuotimit të çmimeve dhe është dërguar njëkohësisht tek se paku tre (3) Operatorë ekonomik, ftesën dhe dosjet për pjesëmarrje në ketë aktivitet të prokurimit.

 

Me datë 30.09.2015 janë pranuar ofertat e Operatoreve Ekonomik ku ofertat e tyre i kanë dorëzuar tre (3) Operatorë Ekonomik dhe pas ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve, tenderi i përgjegjshëm me çmim me të lirë ka qene nga Operatorit Ekonomik DPT BOSSER me çmim 1,500.00 € i cili edhe është shpërblyer me kontratë.

 

Është me rendësi të sqarohet dhe të informohet drejt opinioni i gjerë se zëdhënësi i PK-së z. Kelani nuk posedon asnjë biznes të vetin, ashtu siç potencohet në portale dhe se nuk ka të bëjë fare me tenderin në fjalë. Të njëjtin nuk e ndërlidh fare interesi me lokalin, Bosser, i cili në bazë të dokumentacioneve ekziston si biznes që nga viti 2002, para se zëdhënësi Kelani të jetë në detyrë policore, e jo siç është dezinformuar nga viti 2013.

 

PK-ja respekton dhe zbaton strikt të gjitha procedurat ligjore duke përfshire ato të prokurimit dhe në asnjë rast të vetëm nuk lejon ndërhyrje, në të kundërtën ndërmerren masa ligjore.

 

E tërë procedura për këtë aktivitet të prokurimit është zhvilluar konform Ligjit të Prokurimit Publik Ligji Nr. 04/L-042’ si dhe Legjislacionit sekondar të nxjerrë nga KRPP (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik) dhe ligjeve tjera në fuqi dhe asnjë zyrtar brenda Policisë së Kosovës nuk mund të ushtroj ndikim gjate zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit.

 

Prandaj vlerësojmë se një shkrim i tillë më shumë ka për qëllim ndikimin apo zbehjen e imazhit të Policisë së Kosovës përmes publikimeve të tilla të pa baza, përderisa vazhdimisht jemi cilësuar si një nga institucionet më profesionale dhe më kredibile ( të besueshme) në vend dhe rajon.

 

Exit mobile version