Kreu i Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Isa Mustafa, raportin e BE-së për lajmet e rreme e ka quajtur manipulim të “bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit”.
Mustafa në një shkrim në Facebook, thotë se meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’i drejtohet partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane), me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.
Mustafa thekson se LDK i ka dhënë shans por LVV tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste.
“Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politike bërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së!”
“E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër. LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës. Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Mustafa.
Sipas tij Vetëvendosje, teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen, ka rrezikuar partneritetin e Kosovës me SHBA-në.
“LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të ! Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit. Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova”, thekson tutje.
Ai shton se LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim.
Tutje thotë se partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.
Mustafa shpreson që autorët e “studimit”, të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian, duke theksuar se “studimi” i tyre do të përfundojë si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës./Telegrafi/