Site icon Telegrafi

Reagon Krasniqi: Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për incidentin në Kuvendin e Kosovës, në të cilën, pati edhe përleshje fizike, e ofendime mes deputetëve.

Në një shkrim në Facebook, Krasniqi ka thënë se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë.

Krasniqi ka thënë se kjo tendencë e Qeverisë, duke i sulmuar në mënyrë të paprecedentë deputetët e PDK-së përveç dëshirës së tyre për të shtypur opozitën, në prapavijë ka edhe dy qëllime të tjera.

“E para: Që përmes një skandali tjetër, të mbuloj dhe të tërheqë vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”.

“E dyta: Të mbuloj tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”, thotë ai.

Krasniqi theksoi se duke mos e anashkaluar e as harruar këtë sulm të paprecedentë ndaj deputetëve, PDK nuk do ta largojë vëmendjen nga tema kryesore e cila ka vënë në panik këtë Qeveri: bashkëpunimi i fshehtë me Milan Radojçiqin!

“PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht”, tha tutje.

Lexo po ashtu Debate të ashpra e përleshje fizike, gjithçka nga seanca e së enjtes që mori jehonë edhe në mediat ndërkombëtare

Më tej ka bërë pyetje: Çfarë pazaresh ka bërë kjo Qeveri me Radojçiqin në emër të Kosovës? Çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë kjo Qeveri nga Radojçiqi? Çfarë dëmi i është bërë Kosovës dhe qytetarëve tanë përmes kësaj marrëveshjeje e bashkëpunimi të fshehtë, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të vendit?

Ndërkaq, ka thënë se pret përgjigje.

Krasniqi po ashtu tha se Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila, Besnik Bislmi dhe të gjithë të tjerët që janë përfshirë në pazare të turpshme me Milan Radojçiqin, duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve.

“Një gjë është është e sigurt: Kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sa më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja që sjellin një Qeveri ndryshe – të përgjegjshme e të besueshme dhe që e rikthen rrugëtimin e vendit në kursin e integrimit euro-atlantik dhe pro-perëndimor”, u shpreh Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version