Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka dënuar linçimin publik nga disa media online ndaj një gruaje rome e cila sipas KMShK-së u fajësua pa të drejtë se kinse “endet në disa qytete të Kosovës me qëllim që të vjedh fëmijë”.
Në njoftimin për media thuhet se përkundër deklaratave të policisë së Kosovës e cila sqaroi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë person enigmatik e aq më pak që donte të vjedhte fëmijë, në disa media vazhduan të publikohen shkrime dhe komente të lexuesve përplot me gjuhë të urrejtjes, gjë që është e ndaluar me Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.
“KMShK u bënë thirrje të gjitha mediave që të verifikojnë lajmet dhe të mos alarmojnë pa kurrëfarë mbështetje, duke nxitur kështu gjuhë të urrejtjes, racizëm dhe dhunë sikur në këtë rast”, thuhet në reagimin e KMShK-së.
Ndërsa disa qytetarë kanë sulmuar dje në rrugët e Lipjanit këtë grua duke e inçizuar teksa ajo është rrëzuar. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e hetuar rastin.
PK edhe një herë ka theksuar se gruaja rome nuk paraqet rrezik për askënd dhe se raportimet se ajo ka rrëmbyer fëmijë nuk qëndrojnë./Telegrafi/