Telegrafi

Reagon Klinaku: Specialja nuk e ka konfirmuar aktakuzën për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Specialja nuk e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ky reagim i Klinakut erdhi pasi gjatë ditës se enjte në disa media u raportua se aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt është konfirmuar, transmeton Telegrafi.

“Sapo u informova nga nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, se aktatuza ndaj tij dhe Hysni Gucatit nuk është e konfirmuar dhe për ngritje të aktakuzës nuk kanë njohuri as ata dhe as avokatët e tyre”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

Kujtojmë se Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për Gucatin dhe Haradinaj është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. /Telegrafi/