Site icon Telegrafi

Reagon GP i AAK-së: Arrestimi i Demaliajt dhe Zekës u bë me motive politike

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me arrestimin e deputetit të tyre Shkumbin Demaliaj, e po ashtu edhe me arrestimin e deputetit të Nismas, Milaim Zeka.

Në reagimin e tyre thuhet se “Konsiderojmë se deputetët e arrestuar nuk kanë bërë asnjë veprim konkret i cili mund të cilësohej kanosje ose rrezik të kujt do qoftë dhe mbajtja në paraburgim e tyre kur ata nuk paraqesin rrezik për askënd, është shkelje e rëndë e dinjitetit dhe integritetit të deputetit”.

Reagimi i plotë:

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është i indinjuar me arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në si deputet nuk mund të pajtohemi me logjikën e arrestimit të deputetëve për shkak të fjalës së tyre edhe kur ajo është më e ashpër dhe më emocionale se sa që duhet.

Konsiderojmë se deputetët e arrestuar nuk kanë bërë asnjë veprim konkret i cili mund të cilësohej kanosje ose rrezik të kujt do qoftë dhe mbajtja në paraburgim e tyre kur ata nuk paraqesin rrezik për askënd, është shkelje e rëndë e dinjitetit dhe integritetit të deputetit.

Druajmë se arrestimi i deputetëve Demaliaj dhe Zeka mund të jetë i kalkuluar për motive politike dhe me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës. Pamjet e prangosjes së deputetëve për fjalën e tyre mund të shihen vetëm në sisteme totalitare.

Prandaj kërkojmë që deputetet që po mbahen në arrest të lirohen menjëherë dhe gjykata të ndjek procedurën e rregullt në raport me ta. /Telegrafi/

Exit mobile version