Site icon Telegrafi

Reagon Bullgaria: Kemi mbështetur gjithmonë integrimin e Shqipërisë në BE, Rama të moderojë gjuhën

Ka ardhur sot reagimi zyrtarë i Bullgarisë pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama që kritikojnë ashpër veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pengoi nisjen e negociatave për anëtarësim edhe të Shqipërisë.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Jashtme Bullgare është shprehur se “Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të BE-së që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar”.

“Kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në BE”, ka shtuar ministria.

“Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/

Exit mobile version