Degët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Dukagjinit kanë reaguar lidhur me dënimin që iu është shqiptuar të akuzuarve në rastin e Kumanovës.
Në reagim thuhet se është e tmerrshme se si në shekullin XXI shkelen të drejtat e njeriut në një proces të montuar politik-gjyqësor.
Lexoni të plotë reagimin:
“Sot në Gjykatën Themelore të Shkupit, u dëshmua edhe një herë se me gjithë ndryshimet politike në Maqedoni, nuk ka ndryshuar asgjë në raport me politikën antishqiptare që po e ndjekë shteti maqedonas….
Jemi të tmerruar se si mund të ndodhë që në shekullin 21, të shkelen kaq tmerrësisht të drejtat kombëtare e njerëzore në një proces të montuar politik-gjyqësor, siç ndodhi sot në Shkup dhe askush të mos veprojë, askush të mos e parandalojë?!
Dënimi drakonik i shqiptuar kundër 37 të akuzuarve në procesin e montuar gjyqësor lidhur me ngjarjet e 9 e 10 majit 2015 në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, shumë prej tyre bashkëluftëtarë tanët, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me ç’rast 7 prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me rreth 8 shekuj burgim është i padrejtë dhe i papranueshëm.
Prandaj i bëjmë thirrje faktorit politik shqiptar në Maqedoni që të marrë përgjegjësitë që i takojnë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, u bëjmë thirrje faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë në Maqedoni, që ky proces i montuar gjyqësor, ku janë të implikuara shërbimet sekrete maqedonase, qarqet më të larta shtetërore të Maqedonisë, por edhe qarqe të caktuara shtetërore serbo-ruse, të marrë një epilog të drejtë dhe të zbardhet në tërësi rasti i Kumanovës dhe të gjitha rastet tjera të montuara politike gjyqësore kundër shqiptarëve dhe njëherë e përgjithmonë të ndërpriten fushatat antinjerëzore kundër popullit autokton shqiptar në Maqedoni.
Prandaj, shteti fqinj nëse dëshiron të ekzistojë duhet t’i rishqyrtojë urgjentisht veprimet e veta shoviniste kundër popullit shqiptar, që përbën hiq më pak se gjysmën e popullsisë së përgjithshme të vendit, prandaj duhet t’i trajtojë me dinjitet. Nuk duam që Maqedonia të bëhet arenë e përplasjeve për shkak të drejtësisë së njëanshme për shkak të ndikimit apo interferimit të Serbisë në gjykatat maqedonase.
Ua bëjmë me dije të gjithëve se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për t’i mbrojtur të drejtat e bashkëluftëtarëve tanë, të dënuar padrejtësisht.
Drejtësi për çlirimtarët, sot sepse dikur mund të jetë vonë!”. /Telegrafi/