Brenda javës janë raportuar dy raste të dhunimit seksual në Mitrovicë, ndërsa për këtë ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili.
Pas këtyre dy rasteve i është bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t’i trajtojnë me prioritet dhe masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale.
“Vetëm brenda javës u raportuan dy raste të dhunimit seksual. Të dyja rastet nga qyteti i Mitrovicës. Kjo më ka shqetësuar shumë. Dhunimi seksual është vepër penale dhe rastet e tilla duhet të marrin dënimin sipas legjislacionit në fuqi”, ka shkruar në Facebook ministrja në detyrë.
Ajo i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t’i trajtojnë me seriozitet dhe sipas saj masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale.
Për dy rastet e dhunimit seksual në Mitrovicë ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Besa Ismaili,
“Thirrje institucioneve të që shtojnë përgjegjësinë ndaj kompetencave dhe veprimeve rrjedhëse të tyre, në radhë të parë, angazhimit maksimal për hetimin e këtyre rasteve si dhe ndjenjën e pafuqisë për viktimat, për familjarët dhe për shoqërinë, mos ta fuqizojnë si modalitet potencial për dhunuesit me masa lehtësuese për autorët, siç është rasti i procedurave për lirim të rregullt! Tani, kur masat ndëshkuese ndaj këtij krimi barbar të dhunimit seksual në botë janë ashpërsuar maksimalisht, një masë e tillë ligjore e lirimit në procedurë të rregullt në Kosovë në raste të dhunimeve seksuale perceptohet e rëndë dhe kërcënuese për sigurinë dhe integritetin personal dhe individual të qytetarëve në përgjithësi, grave dhe fëmijëve në veçanti!”, shkruan Ismaili në Facebook.
“Dhuna seksuale në aspektin ligjor është vepër penale. I tërë procesi ndaj dhunuesit përfundon me burgim dhe do të duhej të përfundonte edhe për autorët e këtij krimi, sa më parë. Por jo edhe pasojat. Këto vështirë përfundojnë! Tronditjet dhe frika janë vazhdimësi e viktimës që ka pësuar dhunë seksuale, duke shkatërruar shpirtëroren, të brendshmen psikologjike dhe atë ndjenjësore. Krahas këtyre pasojave, këto krime kontribuojnë në rënkimin e shoqërisë kosovare, pjesë e së cilës jam edhe unë, në pozita dhe situata të ndryshme. Si shoqëri ende nuk kemi drejtësi për mijëra gra të dhunuara në luftën e fundit. Jemi dëshmitarë të deklaratave publike të disa grave viktima të dhunës seksuale, duke parë vuajtjet nëpërmjet fjalëve dhe duke sëmbuar shpirti për ngjarjet në të cilat kanë kaluar”, shkruan ajo.
Ajo theksoi se asnjëherë nuk do të pushojnë së kërkuari drejtësi, sepse gratë kosovare janë përballur dhe përballen me fenomene negative e ngjarje makabre dhe se historia na ka mësuar, përfshi edhe e tashmja nëpërmjet zërit të disa bashkëqytetarëve tona, se dorëzimi nuk ka qenë asnjëherë alternativë. /Telegrafi/