Tyson Fury ka treguar se është në formë të jashtëzakonshme para rimeçit me Deontay Wilder, derisa fitoi në fundjavën e kaluar ndaj Tom Schwarz me nokaut teknik.
Britaniku e fitoi duelin e të dielës në mëngjes në MGM Grand Garden Arena të Las Vegasit duke e mposhtur gjermanin qysh në raundin e dytë.
Por, Wilderin nuk e ka impresionuar fitorja e Furyt nga Schwarz, gjersa ka thënë se ai nuk kishte përballë një kundërshtar serioz.
“”Ishte një performancë e mirë. Nuk kishte shumë nga kundërshtari. Unë mendoj se (Schwarz) gjuajti vetëm katër grushte në drejtim të tij. Ai ishte më shumë një thes boksi”, ka thënë fillimisht boksieri amerikan.
“Fury bëri atë që duhej të bënte. Ata po përpiqen ta promovojnë atë, duke thënë gjëra që nuk janë, duke shitur tregime për të dhe duke folur për të si kampion”.
“Janë duke e ndërtuar atë, por performanca (të dielën kundër Tom Schwarzit) ishte thjesht në rregull”, ka shtuar më tej Wilder.
Boksieri amerikan do të ketë shansin në fillim të vitit 2020 të boksojë sërish me Furyn, pasi meçi i tyre i parë përfundoi me barazim, e që të dy janë ende të pamposhtur. /Telegrafi/