Partia Demokratike ka reaguar pas postimit në platformën ‘X’ të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, bërë mëngjesin e sotëm, ku nënvizohej se nuk ndryshon kurs sa i takon marrëdhënies me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Burime nga selia blu bëjnë me dije për A2 CNN se reagimi nga selia diplomatike e SHBA vjen pas takimit që e ngarkuara me punë, Nancy Van Horn, ka zhvilluar gjatë javës së shkuar me disa deputetë të Partisë Demokratike.
Sipas burimeve, deputetët e opozitës në takimin që kanë pasur me diplomatët e SHBA kanë ngritur shqetësimin për zgjedhjet e 11 majit, përdorimin e pushtetit gjatë procesit elektoral, ndikimin e krimit të organizuar, por edhe sa i përket hapësirës së opozitës në Kuvend.