Franck Ribery është bërë viral në rrjetet sociale me reagimin që bëri me të mësuar se Vinicius Junior nuk është fitues i Topit të Artë 2024.
Në një ceremoni që u organizua në Paris dhe morën pjesë shumë yje të futbollit, mesfushori spanjoll Rodri u kurorëzua si lojtari më i mirë në botë.
Para këtij eventi tashmë ishte bërë e ditur se Real Madridi nuk do të marrë pjesë pasi kishin mësuar se Vinicius është mposhtur në këtë garë.
Ish-lojtari i Bayern Munich dhe Francës, Franck Ribery, i ka bërë të qarta ndjenjat e tij duke postuar fjalët ‘Topi i Artë’ dhe e shoqëroi atë me disa emoji duke qeshur.
Kujtojmë se në vitin 2013, Ribery ishte cilësuar gjerësisht si lojtari më i mirë në atë vit dhe shumë persona menduan se ai duhej të ishte fitues i Topit të Artë.
Sidoqoftë, francezi përfundoi në vendin e tretë në atë garë vetëm mbrapa Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
“Ishte e padrejtë. Ishte një sezon i jashtëzakonshëm për mua dhe duhej ta fitoja. Ata e zgjatën kohën për vota dhe pastaj diçka e çuditshme ndodhi. Mendoj se ishte një zgjedhje politike”, kishte thënë Ribery.
Më vonë mediat spanjolle kishin bërë me dije se shkaku pse Real Madridi nuk ka udhëtuar në Paris është sepse besojnë që France Football nuk ka aplikuar kriteret e nevojshme për ta shpallur fituesin./Telegrafi/