KD Events & Communications shpreh mirënjohjen e tyre për të gjithë qytetarët që morën pjesë në ndeshjen e djeshme ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës në Prishtina Football Fest, e transmetuar në ekran gjigant në sheshin “Xhorxh Bush”.
KD Events ka adresuar dhe sqaruar për opinonin publik, të gjitha dezinformatat që kanë qarkulluar për hyrjen në Prishtina Football Fest dhe për incidentin e djeshëm me një person, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Ky është reagimi i djeshëm publik:
“Fillimisht, dëshirojmë të falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë në ndeshjen e sotshme ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës në Prishtina Football Fest, në Sheshin “Xhorxh Bush”. Duhet të adresojmë dezinformatat që vazhdojnë të qarkullojnë: hyrja në Prishtina Football Fest ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë falas. Zona VIP është e rezervuar për partnerët dhe sponsorët tanë, ndërsa pjesa tjetër e zonës është falas për të gjithë, me politikën se kush vjen i pari, shërbehet i pari, për shkak të kërkesës dhe frekuentimit të lartë të njerëzve.
Për të siguruar një organizim profesional dhe duke u kujdesur për mirëqenien e qytetarëve në ndeshjen e sotshme, ne kemi siguruar të gjithë hapësirën tonë prej 988 m² nga fillimi i hyrjes deri në LED ekran, me të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, duke përfshirë policinë me kontrata dytësore, stafin organizativ, stafin e sigurimit privat, ambulancën dhe shërbimet e zjarrfikësve.
Fatkeqësisht, një individ nuk iu është përmbajtur rregullave dhe ka kundërshtuar Policinë e Kosovës. Fillimisht, personi në fjalë ka thyer barrikadën, e cila është thelbësore për ruajtjen e kontrollit dhe sigurisë së turmës, dhe pas thyerjes së saj, qytetarët kanë hyrë brenda pa pasur vende të mjaftueshme për të gjithë. Me kaosin e shkaktuar, janë thyer shumë tavolina dhe karrige, si dhe është vënë në rrezikshmëri jeta e qytetarëve që kanë qenë pjesëmarrës nga fillimi. E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e një individi dhe veprimeve të tij, për qëllime personale. Incidenti ka ndodhur jashtë zonës së rrethuar të Prishtina Football Fest, por përkundër turmës së madhe të njerëzve, kemi arritur që të reagojmë në kohë me të gjitha masat e nevojshme. Ndërsa brenda zonës së organizimit nuk ka pasur incidente dhe nuk është lënduar askush nga publiku.
Gjithashtu duam të sqarojmë se kemi paguar plotësisht shfrytëzimin e hapësirës publike në Komunën e Prishtinës, si dhe të gjitha institucionet tjera për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik, duke përfshirë policinë, ambulancën, zjarrëfikësit dhe kompaninë private të sigurimit. Çdo pretendim për uzurpim të hapësirës publike është i rremë.
Edhe një herë, ju bëjmë me dije se Prishtina Football Fest është e hapur për të gjithë qytetarët që e duan sportin, që e duan futbollin. Falenderojmë edhe njëherë policinë dhe sigurimin për ruajtjen e rendit, si dhe të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin tek organizimet tona shumëvjeçare. Përveç këtij incidenti nga një individ, ndeshja e sotshme është përmbyllur me sukses dhe profesionalizëm.
Ju presim përsëri në ambientin e njëjtë, të pastër dhe të rregulluar për ndeshjet e rradhës!”
Për më shumë informacione dhe përditësime rreth ngjarjeve dhe aktiviteteve, ndiqni KD Events & Communications dhe Prishtina Football Fest në kanalet e tyre zyrtare!