Përfaqësuesja e Zvicrës ka bërë një rrugëtim fantastik në Kampionatin Evropian, Euro 2020.
Zviceranët arritën për herë të parë në histori të tyre në çerekfinale të një gare të tillë, derisa ishin shumë pranë kalimit në gjysmëfinale, por që u mposhtë nga Spanja pas ekzekutimit të penalltive.
Njëri nga lojtarët më të mirë të Zvicrës, Granit Xhaka mungoi në sfidën çerekfinale shkaku i kartonëve, por ai tregoi edhe njëherë se është një lider i lindur, duke zbritur në fushë para ekzekutimit të penalltive për t’i motivuar bashkëlojtarët e tij.
Xhaka pas eliminimit të Zvicrës nga Euro 2020 ka thënë se dhemb shumë kjo, por se që është krenar me grupin e lojtarëve.
“Këtij rrugëtimi të mrekullueshëm i erdhi fundi dhe më besoni, me të vërtetë dhemb. Por, nuk kam se si të jem më krenar me këtë grup. Ne jemi një skuadër vëllezërish, të gjithë ne”.
“Ne fitojmë së bashku, ne humbim së bashku. Është nder të luash me këta djelmosha dhe do të kthehemi edhe më të fortë”, ka shkruar Xhaka në profilin e tij në Instagram.
Xhaka ishte më i miri në fushë në sfidën e 1/8 së finales, ku Zvicra shkaktoi befasinë më të madhe duke eliminuar favoritin kryesor për ta fituar evropianin, Francën. /Telegrafi/