Site icon Telegrafi

Reagime të shumta për shpërthimin në Stamboll ku humbën jetën gjashtë persona

Reagime të shumta ka pasur për shpërthimin e së dielës në Stamboll ku humbën jetën gjashtë persona derisa 81 pësuan lëndime.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i shprehu ngushëllimet e tij për personat  e prekur nga ky incident, derisa potencoi se NATO qëndron në solidaritet me aleatin e saj, Turqinë.

“Imazhe shokuese nga Stambolli. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turkiye”, ka thënë Stoltenberg.

Ngjashëm për rastin ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, derisa iu uroi shërim të shpejtë të lënduarve.

“Lajme të tmerrshme nga Istiklal në Stamboll. Mendimet tona janë me popullin e Turqisë dhe me familjet e viktimave në sulmin e pasdites. Iu uroj shërim të shpejtë të lënduarve”, deklaroi Borrell.

Po ashtu lidhur me rastin në Turqi ka reaguar edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili tha se ishte i shokuar me lajmet për shpërthimin e sotëm në zemër të Stambollit.

“Mendimet tona janë me viktimat, dhe me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Ne qëndrojmë me Turqinë”, ka thënë ai në Twitter.

Reagim ka pasur edhe nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cili i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave në këtë incident.

Ndryshe, zëvendës-presidenti turk Fuat Oktay njoftoi zyrtarisht se incidenti ishte një sulm me bombë. Ai gjithashtu deklaroi se tanimë konsiderohet si akt terrorist, i shpërthimit me bombë, nga një sulmues që thuhet se ishte një grua. /Telegrafi/

Exit mobile version