Këngëtarja me famë botërore Rihanna ka vizituar së fundmi Senegalin.
Mirëpo vizita e saj atje nuk është pritur mirë nga të gjithë, madje për praninë e saj në këtë shtet ka pasur edhe reagime të ashpra.
Një grup prej 30 organizatash, shoqatash e sekte të ndryshme fetare kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar që Rihanna të mos lejohej në këtë vend.
Grupi i vetëquajtur “Jo Masonerisë së Lirë dhe Homoseksualitetit” ka hedhur akuzat se këngëtarja 29 vjeçare është pjesë e Iluminatit.
Ata besojnë se Iluminati është një shoqëri e fshehtë me një grup njerëzish që kontrollojnë qeveritë në shumë vende të botës, ndërsa sipas tyre në Senegal, ata synojnë të promovojnë homoseksualitetin.
“Ajo nuk e ka fshehur kurrë që është pjesë e Iluminatit dhe do të vijë këtu për të promovuar homoseksualizimin”, thotë njëri nga zëdhënësit e grupit në fjalë, Omar Diagn.
Ndërkohë, arsyeja se pse Rihanna vizitoi këtë shtet ishte mbledhja e fondeve për arsimimin e fëmijëve.
“Kjo është një betejë që ne nuk do të ndalim asnjëherë së luftuari, deri kur çdo djalë dhe çdo vajzë të ketë akses në arsimim”, ka deklaruar Rihanna. /Telegrafi/