Vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani për të shkarkuar katër konsuj nga Shërbimi Diplomatik ka ngjallur debate të shumta në Kosovë.
Nga shoqëria civile konsiderojnë se shërbimi diplomatik është mbingarkuar me njerëz nga subjekte politike derisa sipas tyre ligji e lejon që maksimumi 50% e emërimeve mund të bëhen në baza politike ndërsa pjesa tjetër duhet të jenë diplomatë të karrierës.
Drejtori i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj thotë për Telegrafin se derisa në diplomaci vazhdohet me emërime politike duke evituar profesionistët do të jetë vështirë situata në këtë dikaster.
“Shumica e emërimeve që kanë ndodhur qoftë në staf diplomatik apo konsullata kanë qenë emërime puro partiake, politike e besa edhe familjare. Kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi ndoshta shërbimin më të dobët diplomatik në rajon, kjo ka qenë pikërisht për shkak të kësaj, sepse gjithmonë kur emërimet e tilla janë të njerëzve partiak, të njerëzve familjar janë joprofesionale dhe kjo ka degraduar komplet shërbimin diplomatik”, tha Demhasaj.
Nga ana tjetër Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se për shkak të emërimit të njerëzve jo profesionistë në diplomaci, Kosova ka dështuar të arrijë dy objektivat kryesore që ishin vendosur që nga shpallja e pavarësisë.
“Diplomacia e Kosovës është bërë diplomaci farefisnore dhe mbi baza të punësimeve partiake, që në shumë raste njerëz jo kompetentë e shpesh edhe joprofesional të avancohen në gradat më të larta diplomatike. Këto emërime kanë ndikuar që Kosova ka çaluar në arritjen e objektivave të parapara që nga shpallja e Pavarësisë. Në këtë drejtim diplomacia jonë, si një diplomaci e re dhe e pa konsoliduar ka pasur dy objektiva kryesore: në radhë të parë konsolidimi i shtetësisë së Kosovës përmes njohjeve dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Derisa më tani vetëm disa njohje të “lehta” kanë ardhur për shkak të lobimit të shteteve mike”, thotë Cakolli.
Demhasaj thotë se situata në diplomaci mund të ndryshojë vetëm nëse ndryshon vullneti politikë, duke emëruar njerëz profesionistë e duke anashkaluar ata me librezë partiake.
“Është skandaloze kur i sheh emrat që të gjithë janë familjarë apo njerëz të partive, ku nuk kanë aspak profesionalizëm. Mendoj që kjo praktikë mund të ndryshojë kur të ndryshon vullneti politik, që mos me pas emërime të tilla politike por me pas emërime profesioniste. Kjo mundet me ndodhë veç me ndonjë mrekulli, momentalisht nuk ka qëllime që të emërohen njerëz profesionistë por vazhdimisht ka qenë qëllimi me emërua njerëz të partive politike, përndryshe nuk ka shpëtim. Në qoftë se nuk eliminohet kjo dukuri, atëherë keq do të jetë situata”, thotë më tej Demhasaj.
Cakolli për Telegrafin thotë se dështimi i diplomacisë së Kosovës është vërejtur më së miri kur pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që legjitimoi Pavarësinë e Kosovës numri i njohjeve nuk u shtua aq sa pritej.
“Dështimit për mosarritjen e njohjeve iu shtua edhe dështimi për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Dështimet në fakt kanë ndodhur për shkak se shtetet që kanë njohur Kosovën nuk kanë votuar në favor të Kosovës. Kjo flet për mungesë të konsolidimit të raporteve dhe mungesës së një strategjie për t’i bërë ballë kampanjës së Serbisë për de legjitimimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes fushatës së ç’njohjeve”, shton Cakolli.
Cakolli e konsideron dështim edhe ngarkesën me përfaqësues diplomatik në vende mike si Shqipëria apo Sllovenia derisa sipas tij në shumë vende njohëse në Oqeani Kosova nuk ka përfaqësim diplomatik.
Mbrëmë, emisioni “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka publikuar një listë me emrat e rreth 50 personave që mendohet se janë familjarë të përfaqësuesve politikë e institucional e që të njëjtit janë emëruar në pozita të ndryshme në diplomaci./Telegrafi