RDM ofron ndihmë ndërhyrëse për kategoritë më të cenueshme, ndërsa përpares kanë nënat me foshnja dhe fëmijë deri në tre vjet. Për 20 personat e parë që do të lajmërohen në numrin e telefonit 076311601, është siguruar akomodimi në hostel me ushqim në 10 ditët e ardhshme, transmeton Telegrafi Maqedoni.
„Kjo është një ndërhyrje urgjente për një pjesë të atyre që nuk kanë kushte për jetesë në shtëpitë e tyre të shkatërruara nga vërshimet. Ata ballafaqohen me sëmundje ngjitëse dhe të ndryshme sepse vazhdimisht qëndrojnë në hapësira me lagështi, në afërsi të kafshëve të ngordhura, pa ujë dhe pa rrymë. RDM do të përqendrohet në donacione me ushqim për fëmijë, qumësht, pelena, veshmbathje dhe produkte higjienike“, thonë nga kjo parti.
Ata u sugjerojnë institucioneve të organizojnë evakuim urgjent të popullatës në hapësira të pastra, së paku gjatë natës./Telegrafi/