Site icon Telegrafi

Rasti “Visametric”, avokati: Nga ekspertiza del se kjo kompani ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milionë e gjysmë euro

Avokati Flamur Abdullahu ka njoftuar se padia kolektive kundër “Visametric” për detyrimin e pagesës së shërbimeve postare po merr epilog në Gjykatën Komerciale te Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nga ekspertiza financiare del se vlera që kjo kompani ka përfituar kundërligjshëm nga detyrimi për pagesë të postës dhe pagesës Prime time është 1 milion e 579 mijë e 530 euro.

“Sipas vlerësimit tim duke llogaritur numrin e aplikuesve për viza, konsideroj se ky dëm është rreth 3,000,000.00 euro. Mirëpo, Visametric ka refuzuar zbatimin e Vendimit të Gjykatës për dhënien e informatave të kërkuara. Prandaj, eksperti financiar ka arritur të llogarisë vetëm sasinë e plikove/zarfeve të Visametric, por jo edhe numrin e aplikantëve/pasaportave të procesuara”, ka shkruar avokati.

Lexo po ashtu "VisaMetric" pranon vendimin e Gjykatës - qytetarët nuk do të paguajnë më nga 30 euro për të marrë pasaportën në shtëpi

Abdullahu më tej ka thënë se për ironi, “Visametric” nuk kursente qytetarët nga detyrimi jo ligjor për pagesë postare, ndërsa edhe përkundër urdhrit të Gjykatës,  nuk ka ofruar të dhënat e kërkuara me arsyetimin se po i “mbron” të dhënat personale.

“Vlen të përmendet që kemi kërkuar nga institucione tjera të nxirren këto të dhëna, por, kërkesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për ta urdhëruar Visametric-un që t’ia jap informatat Ekspertit financiar-gjyqësor sipas Vendimit të Gjykatës, fatkeqësisht ka hasur në vesh të shurdhër”.

“Tani, me qëllim të finalizimit të këtij procesi sa më drejtë ju njoftoj se të gjithë qytetarët qe janë detyruar nga VISAMETRIC të paguajnë postën dhe shërbimin Prime Time nga data 13.10.2022 deri me 15.05.2023, mund t’i bashkëngjiten procesit gjyqësor kundër VISAMETRIC, për kompensimin e dëmit në kuadër të Padisë Kolektive të iniciuar për herë të parë në Republikën e Kosovës”, ka shkrua avokati.

Gjykata Komerciale kishte vendosur që “Visametric” të ndalonte t’u kërkonte qytetarëve 30 euro për t’ua kthyer atyre pasaportën me postë pasi të aplikonin për vizë në Ambasadën e Gjermanisë. Po ashtu u obliguar “Visametric” që të kompensonte qytetarët që kishin paguar atë tarifë. /Telegrafi/

Exit mobile version