Javën që po lëmë u raportua për një rast të rëndë në Pejë, ku në foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë.
Po javën që po lëmë pas Kuvendi i Kosovës miratoi dy projektligje, atë për Paga dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Ndërkaq, sot për të 15 ditë po vazhdon barrikadimi i veriut nga grupet kriminale serbe.
Rasti i rëndë në Pejë
Javën që po lëmë pas u bë i ditur një rast i rëndë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë.
Megjithëse rasti fillimisht nuk ishte bërë i ditur, pasi disa ditëve u bë publik dhe pasi u raportua në media, Spitali i Pejës ka njoftuar për suspendimin e shtatë punonjësve të tyre.
“Spitali të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhej në njoftim.
Në mesin e shtatë të suspenduarve ishin katër mami, pastruesi dhe dy lajtore.
Në njoftimin e spitalit është bërë e ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e datës 13.12.2022.
“Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë në mbrëmjen e datës 13.12.2022 tek një shtatzënë e shtrirë në Spitalin tonë është bërë diagnostikimi i frytit të vdekur nga ana e mjekut kujdestar dhe si rrjedhojë ka ndodhur një intervenim kirurgjik dhe fetusi nxirret me prerje cezariane i vdekur në javën e 32 të gestacionit”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë pas rastit në Pejë ka bërë të ditur se është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
E të premten për rastin e rëndë në Pejë u shkarkuan nga posti i tyre edhe shefi dhe kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë.
Në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhej se në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit, ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë.
“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoratit Shëndetësor. Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë ngjarje, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj kishte njoftuar për Telegrafin se kanë nisur hetimet.
Në anën tjetër zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi bëri të ditur se prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ishte shprehur Nikçi.
Për rastin në Pejë kanë ardhur reagime të ashpra nga Shoqata e Pacientëve, deputetë e partitë politike opozitare.
Miratimi i Ligjit për Paga dhe i Ligjit për Zyrtarët Publikë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.
65 deputetët kanë marr pjesë në votim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka abstenuar për këtë Projektligj, përcjell Telegrafi.
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Për të hyrë në fuqi Ligji për Pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja Vjosa Osmani.
Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur këtë Projektligj, ku përmes disa amendamenteve të cilat nuk kanë marrë miratim në Kuvend, kanë kërkuar rritje të koeficientit për punëtorë në disa sektorë, si në shëndetësi, arsim e të tjera.
Në Projektligjin e miratuar në lexim të dytë nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”.
Në këtë buxhet nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit për pagat e punonjësve të sektorit publik.
Sipas prezantimit të Projektligjit për Pagat nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.
Ligji për Zyrtarët Publikë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 58 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Edhe për këtë Projektligj ka abstenuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kundër miratimit të këtij kanë dalë PDK, LDK dhe AAK. Sipas tyre, ky Projektligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.
Shqetësim me disa dispozita të Ligjit kanë shprehur edhe Bashkimi Evropian.
Vazhdon bllokimi i rrugës në veri
Sot për të 15 ditë me radhë po vazhdon bllokimi i rrugëve në veri të vendit për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupe kriminale.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në veri dhe vendosjen e barrikadave të enjten mbajti një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se barrikadat në veri kanë humbur kuptimin.
Sveçla, në një konferencë shtypi tha se arsyeja e vendosjes së këtyre barrikadave është arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, derisa shtoi se ka spekulime për shëndetin dhe trajtimin e tij.
“Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe po merr trajtimin e duhur. Ne kemi bërë kërkesën te partnerët që ai të transferohet në qendrat e paraburgimit nga stacioni policor. Largimi i barrikadave do ta mundësonte transferimin e tij lehtë dhe sigurt”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Sveçla ka thënë se pritjes për t’i hequr barrikadat nga KFOR-i po i vjen fundi.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt.
Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj. Nëse kjo nuk ndodh, kemi kapacitete për ta bërë vet”, tha Sveçla.
E për gjendjen në veri, të premten në mbrëmje është deklaruar edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, i cili ka thënë se në misionin e tij të udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.
Gjenerali Ristuccia thotë se ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.
“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e komandantit të KFOR-it, transmeton Telegrafi.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve palët për të ndihmuar në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”.
Më tej gjenerali Ristuccia, ka thënë se KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit.
“Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë komandanti i KFOR-it. /Telegrafi/