Telegrafi

Rasti Radoiçiq, flasin nga INTERPOL-i për Telegrafin

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL së fundmi ka lëshuar një flet-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ky flet-arrest lidhet në lidhje me sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë.

Lidhur me këtë flet-arrest, Telegrafi ka kontaktuar me INTERPOL, të cilët kanë deklaruar se nuk komentojnë për raste ose individë të veçantë.

“Ju lutemi vini re se Organizata nuk komenton për raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet përkatëse kombëtare”, thuhet në përgjigjen e INTERPOL për Telegrafin.

Tutje INTERPOL ka shtuar se nuk lëshon udhër-arreste por alarme ndërkombëtare që njihen “Red Notices”.

Lexo po ashtu Rashiq konfirmon, INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiqin

“Për informacionin tuaj të përgjithshëm, INTERPOL nuk lëshon urdhër-arreste, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas kontrolleve të pajtueshmërisë INTERPOL lëshon alarme ndërkombëtare në kërkim të njohur si “Red Notices””, kanë deklaruar nga INTERPOL-i.

Në anën tjetër ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka konfirmuar për Telegrafin se urdhri për flet-arrest është lëshuar me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë./Telegrafi/