Telegrafi

Rasti “Karaçeva”, arrestohen edhe dy të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Janë arrestuar edhe dy të dyshuar në operacionin policor kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në fshatin Karaçevë.

Lajmin e ka bërë të ditur PK përmes një njoftimi.

“Janë arrestuar dy persona të dyshuar që ishin në kërkim policor, pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve dhe në prezencë të avokateve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim edhe të dyshuarave tjerë”, theksohet tutje.

Lexo po ashtu Kërkohet paraburgim ndaj 24 të dyshuarve, që u ndaluan në aksionin e së enjtes në Karaçevë dhe rajone tjera

Ndërkaq, javën e kaluar policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, arrestuan dy persona, rrënuan tri objekte ilegale e sekuestruan një sërë aparatesh të lojërave të fatit në Karaçevë.

Pavarësisht aksioneve të rrënimit dhe patrullimeve që Policia e Kosovës thotë se i bën, kazinotë ilegale kanë vazhduar të ndërtohen.

Në shtator të vitit 2020 u zhvillua një aksion i gjerë i rrënimit të kazinove në Karaçevë.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njoftoi për arrestimin e 35 personave në atë aksion – prej tyre 12 ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në nëntor të po të njëjtit vit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzë kundër 73 personave të dyshuar për rastin “Karaçeva”.

Shumica u akuzuan për kontrabandim me mallra, nëntë të tjerë u akuzuan për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa 20 të tjerë për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.​

Ndryshe, operimi i lojërave të fatit është i ndaluar me ligj që nga maji i 2019-s./Telegrafi/

bi