Telegrafi

Rasti i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës – Lirohet nga detyra kryeinspektori i Inspektoratit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

Sipas një njoftimi për media nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në këtë rast ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë.

“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoratit Shëndetësor. Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë shpreh mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes.

“Në të njëjtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi. Ndërsa u. d. Ministrja e Shëndetësisë ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/