Site icon Telegrafi

Rasti i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës, shkarkohen edhe dy drejtorë

Nga rasti i fundit në Spitalin e Pejës ku një foshnje e vdekur dyshohet se është futur me çarçafë në rrobalarëse, drejtori ekzekutiv në këtë spital ka shkarkuar drejtorin mjekësor dhe drejtorin për infermieri.

Spitali i Pejës përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte menaxheriale lidhur me rastin e frytit të vdekur.

“Në kuadër të masave lidhur me rastin e trajtimit të frytit të vdekur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Drejtori Ekzekutiv ka shkarkuar Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri.

Shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte menaxheriale lidhur me rastin e frytit të vdekur”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, ngjarja e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në të cilën dyshohet se foshnja e vdekur është futur me çarçafë në rrobalarëse.

Për këtë rast ka pasur shkarkime në vazhdimësi ku është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj si dhe shefi dhe kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë. Po ashtu janë suspenduar edhe shtatë punonjës. /Telegrafi/

Exit mobile version