Telegrafi

Rasti i foshnjës në Spitalin e Pejës, Kodra: Të gjithë personat e përfshirë duhet të dalin para drejtësisë

Besim Kodra nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve thotë se rasti në Klinikën e Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e vdekur ishte futur në lavatriçe është njëri prej rasteve më skandaloze që ka ndodhur në shëndetësi ndonjëherë.

Kodra tha se të gjithë personat e përfshirë në këtë rast duhet të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.

“Ne konsiderojmë që këtu do të duhej të kishte një përgjegjësi më të madhe, pasi deri tani kemi parë masa më të buta. Për këtë rast do të duhej të kishte shkarkime, dorëheqje dhe arrestime të personave përgjegjës. Në një institucion është normale të ketë incidente, por të mos merret përgjegjësi nuk është e zakonshme të ndodh nëpër institucione shëndetësore nëpër botë”, tha ai për Klan Kosova.

“Të gjithë personat e involuar, personat përgjegjës dhe ata që kanë tentuar të fshehin provat duhet të arrestohen dhe të gjykohen”, tha Kodra.

Kodra, mes tjerash, tha se ky rast tregon se me çka përballen pacientët në vend.

“Ky është njëri prej rasteve më skandaloze që i ka ndodhur shëndetësisë ndonjëherë, por është veç ‘maja e Icebergut’ të problemeve që në vazhdimësi ballafaqohen pacientët me shëndetësinë në vend”, tha Kodra.