Prokuroria Speciale edhe sot do të vazhdojë intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në njoftimin e bërë nga Prokuroria Speciale thuhet se intervistimi i ministres po bëhet pas disa deklaratave të dhënë për rastin e Faton Hajrizit, transmeton Telegrafi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin ‘Debat Plus’ më datë 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës. Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdoj edhe nesër”, kishte njoftuar Prokuroria Speciale.
Ndryshe, ministrja Haxhiu kishte theksuar se e rëndësishme është të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë.
Në një postim të gjatë në Facebook, Haxhiu pretendoi se Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, shkroi ajo në Facebook./Telegrafi/