Në spektaklin e së martës në Big Brother u diskutua deklarata e Egla Cenos, në të cilën ishte shprehur se para 25 vitesh, kur kishte shkuar për të kërkuar punë, pretendonte se e kishin ngacmuar seksualisht.
Aktorja i ishte referuar Saimir Kodrës, i cili gjithashtu bëri një reagim të menjëhershëm, duke mohuar këtë gjë.
Teksa kundërpërgjigja iu publikua gjatë Prime-t, ajo u shpreh: “Marrë përgjegjësi për gjërat që them, mirë se të vijë Gjykata. Unë sigurisht nuk kam prova materiale sepse ndodhi shumë vite më parë, ishte një kërkesë për punë, nuk kam shkuar aty për të futur në kurth zotin Saimir. Por mund të bëj diçka tjetër, të cilën do e mendoj shumë mirë, para se ta prononcoj publikisht”.
Megjithatë, artistja mori mbështetje të madhe në rrjetet sociale nga miqtë e personazhe të showbizit.
Një ndër ta ishte edhe ish-banorja Einxhel Shkira, e cila e vlerësoi për guximin.
Postimi i Einxhel (pa ndërhyrje):
“Nuk kam qenë dakord me 99% të gjërave që Egla thotë edhe bën por sot i them: “Të lumtë pushka”.
Kjo që tha do guxim dhe mesa duket ky guxim nuk i mungon asaj as para gjithë botës.
Ky është realiteti jonë i hidhur, që të bën të heshtim nga shumë frikëra të ndryshme, por mbi të gjitha nga provat që i kërkohen “viktimës”. Prova të cilat gjithmonë mungojnë se askush nuk niset me idenë se do ngacmohet në një takim pune dhe do ta ketë të nevojshme ta faktojë atë… E me këtë justifikim, gjithmonë drejtohet gishti si fajtore nga ajo që ka patur “guximin e budallait” të nxjerrë në sipërfaqe traumën e historisë së saj.
Ndoshta e vërtetë, ndoshta gënjeshtër, ne nuk do e dimë kurrë se çfarë ka ndodhur, por çuditërisht gjithmonë gratë po gënjenkan. Për të fituar çfarë?
Akoma nuk e dimë se çfarë interesi ka një grua të gënjejë që është ngacmuar, kur jo vetëm nuk fiton gjë prej kësaj por as nuk besohet, përkundrazi quhet imorale, mashtruese ose “me siguri e ka kërkuar vetë”.
Kush dreqin gjen guximin të thotë “gënjeshtrën” e saj për të mos marrë asgjë në këmbim?”. /Telegrafi/