Site icon Telegrafi

Rasti “Banjska”, nuk dihet nëse kanë përfunduar ekspertizat në Finlandë

Ndonëse kanë kaluar rreth 3 muaj që kur Ministria e Drejtësisë tregoi se disa nga provat biologjike për rastin e Banjskës janë dërguar në Finlandë për ekzaminim, ende nuk dihet nëse të njëjtat kanë përfunduar ose rezultatet e tyre janë kthyer në Kosovë. Kjo ministri nuk ka dhënë detaje, duke thënë që përgjigjet duhet të kërkohen në Prokurori, e cila as këtë herë nuk ofroi përgjigje.

Edhe pak javë bëhen një vit prej se Kosova u përball me një nga sulmet më të rënda të organizuar nga një grup i armatosur serbësh i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Për më shumë se 10 muaj, Prokuroria Speciale është duke e hetuar rastin, por asnjëherë nuk ka treguar për ecurinë e hetimeve. E gjatë muajit maj, Ministria e Drejtësisë (MD) tregoi se mostrat biologjike të gjetura në Banjskë, që dyshohet se u përkasin personave që ishin në këtë grup, u dërguan për ekzaminim në Finlandë.

Këto mostra u dërguan në shtetin nordik, sepse Kosova nuk e ka funksional laboratorin e toksikologjisë.

Por, MD-ja nuk ka treguar nëse kanë përfunduar ekzaminimet e provave të dërguar, duke thënë se duhet t’i drejtohemi Prokurorisë, institucion i cili edhe këtë herë nuk ka kthyer përgjigje.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju lutem t’i drejtoheni institucionit kompetent në këtë rast Prokurorisë”, thuhet nga Ministria e Drejtësisë.

Në anën tjetër, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thonë se prokuroria duhet të njoftojë për rrjedhën e rastit, pa zbuluar detaje që konsiderohen konfidenciale, ndërkohë që presin që aktakuza në këtë rast të ngrihet sa më shpejt.

Lexo po ashtu Presioni ndërkombëtar, rruga e vetme për dorëzimin e Radojiçiqit në Kosovë

“Se kur mund të kemi një aktakuzë, afatet janë të caktuara me Kodin e procedurës, por ne vlerësojmë se është mirë që sa më shpejt të kemi një aktakuzë për rastin Banjska. Më e rëndësishme se kjo është që kjo aktakuzë të jetë sa më e bazuar në provat dhe të cilat e argumentojnë përfshirjen e Milan Radoiçiqin dhe përfshijnë e grupit të tij në ngjarjen e Banjskës,” deklaroi Liridon Salihi nga GLPS.

Salihi tutje thotë se secili institucion duhet të përmbushë përgjegjësit që ka, për të lehtësuar punën e prokurorëve, në mënyrë që kjo aktakuzë të arrijë të kalojë të gjitha filtrat.

“Çështja e komenteve e aspektit të kushteve mbi të cilat duhet të punojnë prokurorët, dhe i institucioneve për materialet adekuate ose me gjësende që mund të e lehtësojnë hetimin mbetet në përgjegjësinë e institucioneve cilado qoftë ajo. Por, më e rëndësishmja është që këto hetime duhet të kryhen në mënyrë profesionale dhe të kemi prova të bazuara”, shtoi Salihi.

Kompleks e vlerëson rastin avokati Naim Rudari, i cili thotë se prokurorisë do t’i duhet më shumë kohë për të hetuar këtë rast.

“Mund të bëhet gjykimi në mungesë pa u përfillur kriteret e parapara të prezencës për të akuzuarit në seancën fillestare dhe atë të shqyrtimit kryesor. Pra në rastin konkret së paku kryesuesi i këtij grupi Radoiçiq, e të tjerët do të ngarkohen për veprën vrasje e rëndë. E, nuk e di tani nëse do të përmbushen elementet e veprës penale gjenocidi e veprat e tjera. Veprat që do të ngarkohen janë jashtëzakonisht të rënda dhe pa asnjë pengesë do të lejohet gjykimi në mungesë”, tha Rudari.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, nga sulmi i armatosur i grupit që po udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. /Dukagjini/

Exit mobile version