Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, dje, më 30 qershor, ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘mashtrim’ dhe ‘mashtrim ose dëmtim i kreditorëve apo debitorëve’ në rajonin e Prishtinës
Njoftimi vjen nga Policia e Kosovës, e cila të arrestuarit i identifikon vetëm me iniciale, si:
V. M. lindur me 1964 m/serb
N. B. lindur me 1952 f/serbe, dhe
A. M. lindur me 1973 m/sh/k.
Mirëpo, RTV Kim (në gjuhën serbe) saktëson se dy të dyshuarit e arrestuar në këtë rast janë: Vojkan Marinkoviq dhe Nada Bërklaç.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura tjera ligjore.
Sipas raportimit të RTV Kim dy nëpunësit e arrestuar të komunës së Graçanicës lidhen me rastin e grupit të Azem Sylës, i arrestuar kohë më parë për keqpërdorime rreth shitblerjes së tokave në Çagllavicë.
Nada Bërklaç dhe Vojkan Marinkoviq kanë qenë nëpunës të komunës në kohën kur kryetar i Graçanicës ishte kryetari i Lidhjes së Serbëve të Kosovës, Bojan Stojanoviq.