Keqtrajtimi i trevjeçarit në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ka bërë që Prokuroria Themelore e Prishtinës të kërkoj caktimin e paraburgimit ndaj dy edukatoreve dhe kuzhinieres.
E lidhur me këtë rast Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim për suspendimin e menjëhershëm nga puna të tri punëtorëve të këtij institucioni parashkollor.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, këshilltarja për media në MASHTI, Edona Kutleshi-Maliqaj.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë Kutleshi-Maliqaj.
Ajo ka treguar se masa disiplinore janë marrë edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes “Gëzimi Ynë”.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, u shpreh Kutleshi-Maliqaj.
Prokuroria ka bërë të ditur se të njëjtat dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/