Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë javën e kaluar, e cila ishte viktimë edhe në qershor të këtij viti.
Haxhiu në një postim në Facebook pyet pse nuk ka vepruar Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor?
“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë?
Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor.
Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, shkruan Haxhiu.
Ndryshe, lidhur me rastin dorëheqje deri tani kanë dhënë katër zyrtarë, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, Ali Gashi nga pozita e drejtorit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci dhe drejtori për Operativë Rajonale të Prishtinës, Shkelzen Xhafa.
Ndërkaq, për rastin e dhunimit gjatë javës që po lëmë pas janë arrestuar pesë persona që ndodhen në paraburgim, ndërsa për rastin e zhdukjes të së miturës në qershor të premten janë arrestuar gjashtë persona.
Në total numri i të arrestuarve në rastin e të miturës është 11. /Telegrafi/