Telegrafi

Rasim Selmanaj për rrugën Deçan-Plavë: Qeveria Kurti i hoqi nga buxheti mjetet për këtë projekt

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si parti opozitare nuk ka arsye të reagojë për rrugën Deçan-Plavë.

Selmanaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ishte qeveria Kurti e cila i hoqi nga buxheti mjetet e ndara për këtë projekt.

Sipas tij, sikur mjetet të mos hiqeshin nga buxheti kjo rrugë do të kishte përfunduar.

“Tashmë kur rruga Deçan-Plavë u ba temë diskutimi, disa parti opozitare po e ngrisin zërin duke shpreh shqetësimin e tyre për nderprerjen e kësaj rruge te pjesa 5 kilometërshe. Ishte qeveria Kurti që i hoqi nga buxheti mjetët e ndara për këtë projekt. Sikur ato mjete të mos hiqeshin sot rruga Deçan-Plavë pothuajse kishte përfunduar”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë akuzuan kryeministrin Avdullah Hoti dhe partnerët e tij qeverisës se po i vënë në zbatim kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjë e cila sipas kësaj partie, ka ndodhur edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë. /Telegrafi/