Site icon Telegrafi

Rashiq demanton Isa Mustafën, nuk kemi vënë kushte

Deputet i Listës serbe, Nenad Rashiq ka deklaruar se si Listë kanë vullnet pozitiv për demarkacionin me Malin e Zi dhe nuk kanë vënë kushte për ta votuar, por janë fajësuar në mënyrë flagrante.

Sipas tij, është një negligjencë sistematike nga organet qeveritare që t’i fajësojnë serbët për demarkacionin.

“Kushtet nëpër grupe janë normale por ne nuk kemi ardhur në fazën që t’i paraqesim ato”, tha ai për RTK.

“Ne kemi vullnet pozitiv, kemi pas vullnet edhe në miratimin e MSA-së dhe tregon që serbët nuk kanë qenë pengesë në integrimin e Kosovës. Kur fajësohemi në mënyrë flagrante, meritojmë më shumë respekt nga koalicioni sepse partneriteti ka kuptim tjetër dhe në këtë mënyrë unë nuk kam parë partneritet”, tha ai.

Kurse, demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave, sipas tij, është një kërkesë absurde që ka shkuar si kërkesë nga brenda Kosovës dhe është kthyer nga BE.

Ndryshe, kryeministri Isa Mustafa tha dje në seancën e Kuvendit të Kosovës se një grup parlamentar po e kushtëzon votimin e këtij Projektligji, duke thënë se nuk do të bëjnë koncesione me ligje që përcaktojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. /KP/

Exit mobile version