Telegrafi

Rashicën e kënaq një pikë, tani i bashkohet De Biasit

Milot Rashica, “ylli” i Viteses dhe Shpresave, bëri një ndeshje të mirë me kuqezinjtë e drejtuar nga Redi Jupi, ndërkohë që nesër do t’i bashkohet Kombëtares së madhe për të udhëtuar drejt Austrisë, ndërkohë që do të ketë mundësinë të debutojë në ndeshjen me Luksemburgun më 29 mars.

Fitorja me Greqinë do e kishte motivuar edhe më shumë Rashicën, por: “Sikur të fitonim tri pikët sot, do të shkoja te Kombëtarja e madhe më i motivuar, por luajtëm ndaj një kundërshtari jashtëzakonisht të fortë dhe besoj se duhet të jemi të kënaqur me një pikë”.

Më tej, Rashica, për mikrofonët e SuperSport u shpreh se edhe mund të fitonin me Greqinë.

“Besoj se pjesa e parë ishte shumë e mirë, dhë nëse do të futeshim edhe në pjesën e dytë dhe të luanim me të njëjtin intensitet, besoj edhe me pak fat mund të dilnim me 3 pikë”.

Rashica është i lumtur që do të jetë pjesë e Kombëtares e do mundohet të mbyllë një sezon të mirë për të qenë në Evropian.

“Unë jam shumë i lumtur, së pari që do të jem pjesë e Kombëtares në atë ndeshjes. A do kem minuta apo jo është diçka që e vendos trajneri, e nëse do të kem, jam i bindur që do të jap maksimumin tim në ato minuta që do me jepen”.

Evropiani? E Kam thënë edhe më herët që është ëndrra ime, por unë do mundohem të përmbyll një sezon sa më të mirë si me shpresat, si me Vitesen, e pastaj nuk i dihet”, përfundoi vushtrriasi. /Telegrafi/