Telegrafi

Rashani i dhuroi fitoren e fundit Kosovës, Challandes mund ta aktivizojë nga minuta e parë: Është në formë të lartë, mund të luajë

Elbasan Rashani njihet si ‘Xhokeri’ i Kosovës, pasi çdoherë që është futur në lojë nga banka rezervë ka shënuar gol.

Rashani ka katër gola të shënuar me Kosovën, të gjithë pasi është inkuadruar nga banka rezervë.

Goli i parë i tij u shënua në barazimin 2-2 ndaj Shqipërisë në vitin 2015, ndërsa sulmuesi anësor realizoi edhe ndaj Ishujve Faroe një vit më vonë në fitoren e Kosovës 2-0 në Frankfurt.

26-vjeçari dy golat e tjerë i ka shënuar ndaj Letonisë në triumfin 4-3 të Kosovës, si dhe në ndeshjen e fundit 2-3 ndaj Bullgarisë.

Në pyetjen e Telegrafit drejtuar përzgjedhësit Bernard Challandes, nëse ka ardhur koha që Rashani të jetë nga minuta e parë apo do të preferonte përsëri si ‘xhoker’, Challandes e ka lavdëruar atë.

“Nuk e tregoj formacionin tani, por kur flasim për Rashanin, ai kishte disa ndeshje të mira në Superligën e Norvegjisë, gjë që është e mirë edhe për mua, por kur flasim për të edhe Rashicën është e vështirë t’i caktosh njërin, por ai po kalon një kohë të mirë në Norvegji”, tha Challandes.

Bernard Challandes në konferencë për shtyp (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

“Ai ka treguar disa paraqitje të mira atje dhe për mua ai është një mundësi e mirë, një mundësi shumë e mirë për ndeshjen e nesërme, pasi që do të luajë me lojtarët nga krahët, pasi ai luanë në të djathtë dhe të majtë në Norvegji”.

“Skuadra e Rashanit qëndron shumë mirë në ligë, ai ka shënuar, asiston po ashtu dhe është një kandidat i mirë për të luajtur nga fillimi nesër apo për ndeshjen e radhës”, deklaroi Challandes. /Telegrafi/