Të dielën gjatë ditës në veri janë thyer dhe vjedhur zyrat e UNMIK-ut, në Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lidhur me rastin është deklaruar policia.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë në veri, Veton Elshani, tha se policia i ka gjetur xhamat e thyera.
Elshani theksoi se nuk ka ende informacione se çka është vjedhur atje.
“Ne ekzaminuam të gjitha, por s’e dimë çka ka pasur brenda. Nuk kemi informacione përveç asaj se çka është raportuar, nuk e di”, tha ai.
Nga UNMIK-u për mediumin serb në veri, Kosovo Online kanë konfirmuar grabitjet e zyrës së tyre.
“Qasja e UNMIK në zyrat që ndodhen në godinat komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Lleposaviq është kufizuar qysh prej incidenteve të majit 2023. Unmik ka vizituar zyrat e veta dhe në disa raste sesi të rikthejë pjesën e pronës së tyre dhe për të vlerësuar hapësirat me mbështetjen e KFOR dhe në koordinim me autoritetet kosovare. UNMIK shprehu shqetësimin e vet tek autoritetet kosovare për hyrjen e paautorizuar në ambientet e veta dhe kujtoi se ambientet dhe prona e Kombeve të Bashkuara janë të pacënueshme dhe se qasja në këto ambjente, duhet të mbrohen dhe garantohen në çdo moment” thuhet në përgjigjen me shkrim nga UNMIK.