Telegrafi

Raportohet për dy vjedhje të rënda në një objekt fetar në Gjilan – hajnat marrin paratë e mbledhura për bamirësi

Foto: Arkiv

Dy vjedhje të rënda raportohet se kanë ndodhur brenda dy ditëve në një objekt fetar në Gjilan.

Policia njofton se njëri rast ka ndodhur të dielën e 14 janarit, kur një person i panjohur dyshohet se ka hapur me dhunë kasafortën dhe nga aty ka vjedhur një sasi të parave që ishin mbledhur për bamirësi.

“Gjilan / 14.01.2024 – 12:45. Ankuesi kosovar ka raportuar se një person i panjohur dyshohet se ka hapur me dhunë kasafortën e një objekti të kultit fetar dhe nga aty ka vjedhur një sasi të parave që ishin mbledhur për bamirësi”, thuhet në raportin policor.

Ndërkaq rasti tjetër bëhet e ditur se ka ndodhur të martën e 16 janarit, kur nga person/a të panjohur dyshohet se është vjedhur kasaforta në të cilën ishte një sasi e parave që ishin mbledhur për bamirësi.

“Gjilan / 16.01.2024 – 14:00. Ankuesi kosovar ka raportuar se nga person/a të panjohur dyshohet se është vjedhur kasaforta e një objekti të kultit fetar në të cilën ishte një sasi e parave që ishin mbledhur për bamirësi”, thuhet më tej.

Të dyja rastet janë duke u hetuar. /Telegrafi/