Policia e Kosovës, konkretisht departamenti i hetimeve, ka realizuar sot një operacion policor në Mitrovicë, konkretisht në lagjen e Boshnjakëve.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, për Telegrafin ka konfirmuar se gjatë këtij operacioni policor është kryer bastisje në një lokacion.
Të dyshuarit nuk janë gjetur në lokacionin e bastisjes por policia u ka lënë ftesë për tu paraqitur në stacion të policisë.
“Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, ka thënë Kelani.
Ndryshe, kjo bastisje vjen pak orë pasi një njësi patrulluese kufitare në Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë zjarri.
Kelani për Telegrafin konfirmoi se nga ky sulm nuk ka persona të lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, tha ai. /Telegrafi/